Shkruar nga: Elizabeta Tomë Mrijaj – New York
Para disa ditësh, më erdhi një mesazh që mbante me vete një copë të historisë sonë, të ruajtur në heshtje dhe me shumë nostalgji për më shumë se gjashtëdhjetë vjet. Mesazhi erdhi prej nipit të Pjetër Hotit, dhe stërnipit të vëllaut të Nikollë Hotit, i cili ndau me mua një koleksion dokumentesh familjare, letra të lidhuna me një brez shqiptarësh, jeta e të cilëve u shënua prej përndjekjes, burgut, mërgimit dhe qëndresës kundër komunizmit.
Pjetër Hoti dhe vëllau i tij, Nikollë Hoti, ishin të lidhur me Blokun Kombëtar Independent (BKI) dhe me qëndresën shqiptare antikomuniste në mërgim. Historia e tyre është pjesë e një historie shumë më të madhe. Është pjesë e atyre shqiptarëve që, pas ardhjes së komunistëve në pushtet, pra, në Shqipëri, nuk e ndalën luftën për një Shqipëri të lirë, edhe pse u detyruan me e vazhdu këtë betej larg vendit të tyre.
Ndër materialet e rujtura gjendët edhe një letër zyrtare e datës 28 mars 1961, e dërguar prej Romës, në letrën zyrtare të Blokut Kombëtar Independent, me numër protokolli 2886 dhe e nënshkruar prej Kolë Mirakajt. Letra i drejtohet drejtpërdrejt Nikollë Hotit dhe e falënderon për informacionet rreth refugjatëve shqiptarë në Triestë dhe për punën organizative që po zhvillohej atje.
Veç me pak rreshta, kjo letër na hap një dritare mbi rrjetin që i lidhte mërgimtarët politikë shqiptarë, refugjatët dhe veprimtarët antikomunistë nëpër Europë.
Kujtesa familjare e mban Nikollën si njeri shumë të angazhuar në punën organizative të BKI-së dhe në mbajtjen e lidhjeve me figurat udhëheqëse të lëvizjes. Veprimtaria e tij e çoi në rrethet e mërgatës politike shqiptare në Romë gjatë viteve 1960–61, përfshirë edhe kontakte të lidhuna me klerin pranë Bazilikës së Santa Maria Maggiore.
Ndërsa një dokument tjetër, i ruajtur mes këtyne letrave, na ofron edhe më shumë me anën njerëzore të asaj lufte politike.
Është një dokument për sistemimin si refugjat të Pjetër Hotit dhe familjes së tij. Sipas dokumentit, Pjetri kishte punuar si bujk në tokën e vet në Koplik të Shqipnisë, prej vitit 1938 deri më 1949. Aty thuhet se prona iu konfiskua prej pushtetit komunist dhe se ai u arratis prej Shqipnisë për me i shpëtue përndjekjes së mëtejshme komuniste dhe burgimit.
Por vuajtjet e tij nuk morën fund me kalimin e kufinit.
Pasi u vendos në Jugosllavi, Pjetri u arrestua prej autoriteteve jugosllave në vitin 1951. Dokumenti thotë se u dënua me gjashtë vjet burg, ndërsa akuza ndaj tij përshkruhet me fjalë që nuk lanë vend për dyshim: ai konsiderohej “armik i komunizmit dhe i Jugosllavisë.”
Në burg qëndroi deri në vitin 1957. Pas lirimit, sipas dokumentit, Pjetri u vu nën mbikëqyrje të veçantë prej UDB-së, aparatit të sigurimit shtetror jugosllav, dhe mundi me gjetë vetëm punë të rastit. Në janar të vitit 1961, ai dhe familja e tij u dërguan në kampin e refugjatëve në Gerovë, ku dokumenti përshkruan se familja kaloi vuajtje e privime të mëdha.
Pastaj erdhi arratisja.
Më, 13 mars 1961, familja Hoti u arratis prej Gerovës. Të nesërmen, më 14 mars, arritën në Triestë. Shpresa e tyre ishte me arritë përfundimisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe dokumenti shënon se familja dëshironte me u vendosë në Amerikë, ku një mik ishte i gatshëm me i sponsorizue.
Koha kur janë hartue këto dokumente është veçanërisht domethënëse.
Familja Hoti arriti në Trieste më, 14 mars 1961. Veç katërmbëdhjetë ditë më vonë, më 28 mars, udhëheqja e BKI-së në Romë po shkëmbente korrespondencë me Nikollë Hotin, vëllaun e Pjetrit, pikërisht për refugjatët shqiptarë dhe veprimtarinë organizative në Triestë.
Kur i vendosim këto dokumente krah për krah, ato na japin një pamje të rrallë të botës së mërgatës shqiptare antikomuniste në vitin 1961.
Angazhimi i tyne nuk përfundoi kur Pjetri arriti në Amerikë. Pas vdekjes së Nikollës në vitin 1963, Pjetri vazhdoi veprimtarinë me BKI-në, pasi që u vendos fillimisht në New York e më vonë në Stamford. Sipas kujtesës familjare, deri në vitin 1968 ai kishte një rol këshillues të lidhur me përgatitjet për një kongres të BKI-së me shqiptarët në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.
Të marra së bashku, këto dokumente na tregojnë diçka shumë të rëndësishme për historinë e qëndresës shqiptare kundër komunizmit.
Ajo luftë nuk mbeti vetëm në malet, burgjet apo vendet e pushkatimeve në Shqipëri. Ajo i ndoqi shqiptarët edhe përtej kufijve.
Ata që ikën prej Shqipërisë komuniste mund të përballeshin prapë me burg, mbikëqyrje, kampe refugjatësh e shpërngulje. Në të njëjtën kohë, mërgata politike shqiptare organizohej prej vendëve si Roma e Trieste, e më vonë prej bashkësive shqiptare në Shtetet e Bashkuara, duke shkëmbyer informacione, e duke i ndihmuar refugjatët, duke mbajtë gjallë lidhjet politike dhe, mbi të gjitha, duke mos e lanë me u shue shpresa për një Shqipëri të lirë.
Këto dokumente i japin kësaj historie emra, data dhe dëshmi të jetuara.
Për më shumë se gjashtëdhjetë vjet, ato u ruejten mbrenda familjes Hoti. Një gjysh i mbajti. Pasardhësit e tij i ruejtën. E falë kujdesit të tyre, sot një brez tjetër ka mundësi me u përballë me dëshminë që na lanë ata që e jetuan vetë atë kohë.
Historia jonë nuk jeton veç në libra apo në arkiva zyrtare.
Nganjëherë ajo mbijeton e palosur mbrenda një zarfi të vjetër, me vulë të Romës, e bartun përtej kufijve, burgjeve e kampeve të refugjatëve, e në fund përtej oqeanit, e ruejtur me kujdes prej një familjeje që e ka kuptuar vlerën e saj.
Këto nuk janë veç letra të vjetra. Janë dëshmitarë të asaj që ka përjetuar populli ynë dhe të vendosmënisë së atyne që nuk iu dorëzuan komunizmit.

Nikollë Hoti, born on 25 December 1914 in Rapësh, Shkodër. His father’s name: Zef; his mother’s name: Lulëgjuraj Lena.
Hoti, née Brahimaj Julja, Nikoll’s wife, born on 7 August 1927 in Aprip i Guritë, Albania. Her father’s name: Ndue; her mother’s name: Pulë Deda.
Hoti Gjok, born on 8 August 1943 in Rapësh, Shkodër, the son of Nikollë and Shkreli Julja.
Hoti Gjon, born on 12 July 1944 in Rapësh, Shkodër, the son of Nikollë and Shkreli Julja.
Hoti, née Lulëgjuraj Lena, born on 15 June 1890, in Grudë, Titograd, Yugoslavia. Nikollë’s mother.




